Shanset e Mançester Junajtid për të përforcuar skuadrën me Çesk Fabregas dhe Robert Levandovski për sezonin e ardhshëm janë rritur ndjeshëm pasi mediat angleze raportojnë se lojtarët në fjalë i kanë dërguar mesazhe të qarta këtij klubi se duan t’i bashkohen ciklit të ri të Devid Mojes.
Sipas asaj që raporton “Daily Mail”, tekniku i ri i Junajtid ka lajmëruar klubin që të hidhet menjëherë në sulm për këta dy futbollistë, pasi dëshiron t’i ketë në stërvitje para turit të Azi dhe Australi në mesin e muajit të ardhshëm. Ndaj klubi është vënë në lëvizje për të mbyllur marrëveshjet në fjalë sa më parë, pasi nuk dëshiron më telenovela merkatoje, sidomos për futbollistë të këtij kalibri.
Fabregas do të kthehet të jetë një mesfushor i mirëfilltë, një mundësi që te Barcelona nuk i jepet për momentin, pasi prioritet kanë futbollistë si Buskets, Iniesta e Ksavi. Ndaj ai preferon të kthehet në Angli, ku Mançester Junajtid është vënë në kërkim të një futbollisti që ka pikërisht karakteristikat e tij.
Edhe Levandovski tashmë ka hedhur sytë nga Anglia, pasi mësoi se Borusia Dortmund nuk ka ndërmend që të lejojë transferimin e tij te Bajern. Meqenëse polaku nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit aktual, kalimi te Mançester Junajtid, për t’u bërë partner i një sulmuesi të madh si Robin Van Persi, do të ishte zgjidhja ideale. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 June 2013 14:25