Sulmuesi i Napolit, Edinson Kavani, beson se shoku i tij në kombëtare, Luis Suarez, po paragjykohet që nga momenti i parë kur u transferua në Angli. Sulmuesi i Liverpulit ka qenë në qendër të kritikave për ngjarje të ndryshme, si fyerjet raciste ndaj Patris Evra, simulimet apo se fundi kafshimi që i bëri mbrojtësit të Çelsit, Branislav Ivanoviç.
“Gjëra të tilla ndodhin në jetë. Kur je në fushën e lojës je shumë i ekzaltuar dhe shpesh duhet të përballesh me situata me të cilat nuk je mësuar ende. Nuk është e drejtë të gjykosh një person për një gabim që ka kryer në një moment të tillë. Gjëja e rëndësishme është që Suarez e kuptoi se kishte kryer një gabim”, ishte komenti i Kavanit për shokun e tij të skuadrës.
“Duke luajtur përkrah tij mësohesh me vëmendjen e mediave gjatë të gjithë kohës. Luajmë bashkë në të njëjtin ekip kombëtar dhe kjo është e shkëlqyer pasi ai është një lojtar i madh me cilësi të jashtëzakonshme. A largohet nga Liverpuli apo jo do të varet nga shumë gjëra. Mendoj se futbolli anglez i përshtatet shumë, pasi ka një mënyrë lojë që i pëlqen, por në fund të fundit, gjithçka do të bazohet mbi një zgjedhje personale”, shpjegoi sulmuesi uruguaian për shokun e tij të skuadrës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 June 2013 14:24