Disa nga ish-yjet e Real Madrid, janë të bindur se Zinedin Zidan do të bënte një punë të shkëlqyer si trajner i kësaj skuadre. Pas largimit të Zhoze Murinjos, madrilenët kanë mbetur pa trajner, e ndërsa Ançeloti nuk po arrin të shkëputet nga PSZH, kandidatura e Zidan bëhet gjithnjë e më e fortë.
“Zidan është gati të marrë çdo lloj detyre brenda Real Madrid. Me inteligjencën dhe qetësinë e tij, ai mund të jetë një trajner, drejtor sportiv apo drejtues më i lartë”, shpjegoi Roberto Karlos. “Zidan do të bënte gjithçka këtu duke transmetuar qetësi, ai është një person fantastik dhe do të ishte i shkëlqyer për Real Madrid”.
“Për Ançelotin, apo këdo që do të vijë në drejtimin e skuadrës, ata duhet ta dinë që të jesh trajner i Real Madrid nuk është kurrë e lehtë. Këtu duhet të luftosh për kampionatin, Ligën e Kampioneve dhe kupën dhe nëse nuk fiton ka gjithmonë probleme. Ndaj kushdo që do të marrë drejtimin e skuadrës, duhet ta dijë këtë gjë. Epoka e Murinjos përfundoi, një trajner i ri do të vijë dhe i uroj kujtdo që të vijë shumë fat”, deklaroi braziliani.
Të njëjtin mendim duket se ndan një tjetër nga “galaktikët” e famshëm, mesfushori portugez Luis Figo.
“Zizu mund të bëjë realitet çdo gjë që i vendos si objektiv vetes. Përse të mos jetë ai trajner i Realit?”, deklaroi Figo. (LajmeShqip.com)
Monday, 10 June 2013 08:22