Iker Kasijas ka bërë të qartë se nuk është në formën më të mirë të mundshme, pasi në muajt e fundit nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare, me përjashtim të 45 minutave ndaj Haitit në miqësoren e mbrëmshme që përfundoi me rezultatin 2-1 për kombëtaren e Spanjës.
Futbollisti mendon se tashmë është në disavanatazh në krahasim me Viktor Valdes dhe Pepe Reina për postin e titullarit gjatë Kupës së Konfederatave, si pasojë e qëndrimit të gjatë në stol te Reali, pas debatit publik me Zhoze Murinjon.
“Kam qëndruar jashtë për katër muaj. Pas kaq shumë kohësh, isha i lumtur por edhe shumë nervoz. Po luftoj për t’u kthyer titullar por kam një disavantazh të madh për të rikuperuar përballë Valdes dhe Reina. Qëndrimi jashtë fushës më ka dëmtuar”, pranoi 32 vjeçari.
Kasijas gjithashtu evitoi të bënte komente mbi fjalët e shokut të tij të skuadrës te Real Madrid, Alvaro Arbeloa, i cili ka kritikuar lojtarët dhe ka mbrojtur Zhoze Murinjon.
“E kemi përfunduar sezonin me Realin dhe tani kemi filluar një periudhë të re me Spanjën. Alvaro ka një pikëpamje të tijën që duhet respektuar. Nuk kam pse flas më shumë me të. Gjëja e rëndësishme për mua është që u ktheva përsëri në fushë”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 09 June 2013 08:59