Futbollisti i Njukasëll, Papis Cise, ka bërë të qartë se nuk do të pranoj të veshë fanellën e re të skuadrës, që mban mbishkrimin e sponsorit “Wonga.com”. Sulmuesi senegalez ka bërë të qartë se është një mysliman praktikues dhe për këtë arsye ka protestuar te klubi i tij rreth marrëveshjes me këtë kompani huadhënëse.
Sipas rregullave të besimit mysliman, besimtarët nuk duhet të përfitojnë nga huadhënia apo huamarrja e parave, pasi interesi është i ndaluar. Kjo ka shtyrë Cise të bëjë publik vendimin e tij.
Shumë shpejt, të njëjtën rrugë pritet të ndjekin edhe dy lojtarët e tjerë myslimanë të Njukasëll, Çeik Tiote dhe Hatem Ben Arfa. Ndaj klubi tashmë po mendon se si të zgjidhë këtë situatë, duke propozuar që të veprohet ashtu siç bëri Sevilja me Frederik Kanute.
Ky i fundit refuzonte të vishte fanellën me logon e një kompanie bastesh sportive, duke u bazuar përsëri në rregullat e besimit mysliman. Ai pranoi të vishte një fanellë pa logo gjatë ndeshjeve, ndërsa pranoi atë me logo vetëm gjatë stërvitjeve të skuadrës.
Kompania “Wonga” në fakt është bërë objekt kritikash edhe nga vetë tifozët e Njukasëll, të cilët kanë zbuluar se për të blerë me kredi një fanellë të skuadrës që kushton 50 paund, pas një muaji ata duhet t’i paguajnë më shumë se 72 paund kësaj kompanie nëse marrin hua 30-ditore nga ajo. (LajmeShqip.com)
Saturday, 08 June 2013 12:04