Kristiano Ronaldo u ka dhënë një goditje të rëndë të gjithë klubeve që synonin të rrëmbenin futbollistin portugez nga radhët e Real Madrid, duke deklaruar një natë më parë se do të ulej në tavolinën e bisedimeve me klubin e tij.
“Unë jam mirë, i qetë dhe nuk shqetësohem nga gjëra të tilla. Jam i sigurt se do të gjej një akord me klubin” tha Ronaldo, i cili nuk ka pranuar të përfshihet në polemikat në distancë me Zhoze Murinjon.
“Mendoni se më shqetëson një gjë e tillë? Për momentin më shqetëson vetëm kombëtarja dhe paraqitjet me të”, ishte komenti i portugezit.
Por sipas mediave angleze, ky rinovim do t’i kushtojë shumë shtrenjtë Real Madrid, pasi lojtari kërkon shifrën e pabesueshme të 32 milion paund në vit për të nënshkruar një kontratë re. Vetëm si rrogë ai do të përfitojë rreth 17 milion paund në vit, ndërsa kërkon edhe 100% të të drejtave të imazhit, që aktualisht prodhojnë rreth 15 milion euro në vit.
Kjo ka bërë që drejtuesit e Realit të hezitojnë përballë këtyre kërkesave që në fakt e bëjnë Ronaldon futbollistin më të paguar në botë, por njëkohësisht përgjysmojnë të ardhurat e madrilenëve, të cilët falë të drejtës së imazhit të futbollistit paguanin deri tani rrogën e tij. (LajmeShqip.com)
Saturday, 08 June 2013 12:00