Menaxheri i Mario Gomez, Uli Ferber, ka bërë të qartë se sulmuesi do të largohet nga Bajern Mynih gjatë merkatos së verës. Futbollisti ka humbur postin e titullarit përballë Mario Manxhukiç, ndërsa në javët e fundit është përfolur për interesimin e klubeve italiane të Fiorentinës dhe Napolit.
“Mario qartësisht që është më i orientuar drejt largimit. Por nuk është marrë asnjë vendim mbi klubin të cilit ai dëshiron t’i bashkohet”, tha Ferber për futbollistin që ka shënuar 113 gola në 174 ndeshje me bavarezët, të cilëve iu bashkua në vitin 2009.
Nëse Gomez po bëhet gati të largohet, një gjë e tillë nuk i shkon aspak ndërmend Frank Riberi, i cili sapo ka rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2017 me bavarezët.
Lojtari zgjati marrëveshjen ekzistuese me klubin me dy vite të tjera, duke bërë të qartë se do të vazhdojë të mbetet pjesë e projektit për një cikël të ri fitimtar edhe nën drejtimin e Pep Guardiolës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 06 June 2013 23:00