Drejtuesit e Bajern Mynih kanë bërë të ditur se që tani kanë shitur të gjitha biletat e 16 prej 17 ndeshjeve të Bundesligës së kësaj skuadre në “Allianz Arena” në sezonin e ardhshëm. Kampionët në fuqi të Ligës së Kampioneve janë një nga klubet e pakta evropiane që regjistrojnë thuajse gjithmonë një stadium të tejmbushur.
Meritë është edhe e faktit se “Allianz Arena” është ndër stadiumet më të mirë në botë, pa harruar këtu se ekipi është shumë i suksesshëm, siç e tregoi në këtë sezon duke fituar Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampioneve.
“Për çdo ndeshje kemi nga 80 mijë, deri në 140 mijë kërkesa për bileta”, konfirmoi anëtari i bordit drejtues të klubit, Jan-Kristian Dresen. “Vetëm për ndeshjen ndaj Hofenhaim kanë mbetur rreth 3 mijë bileta në qarkullim”, tha ai.
Në total, stadiumi “Allianz Arena” që ka një kapacitet prej 71137 vendesh që ofrohen nëpërmjet biletave, pritet të ketë rreth 1 milion e 200 mijë tifozë edhe në këtë sezon,.
Një vit më parë, Bajerni shiti të gjitha biletat e sezonit me 11 qershor. (LajmeShqip.com)
Thursday, 06 June 2013 22:54