Emisioni televiziv spanjoll “Punto Pelota” ka publikuar pjesën e dytë të intervistës së Zhoze Murinjos pas largimit nga Real Madrid, këtë radhë duke u ndalur te raporti mes trajnerit portugez dhe kapitenit të madrilenëve, Iker Kazijas, që mendohet se solli edhe ndarjen mes palëve.
“Kazijas është një lojtar dhe për mua të gjithë janë të barabartë. Ndoshta këtu nuk janë të përgatitur që të gjithë të jenë të barabartë. Unë për vete jam një trajner që kërkon meritokracinë. Duhet të luajë ai që mendoj unë se është në gjendje më të mirë, pa parë statusin apo të kaluarën e tij”, bëri të qartë Murinjio, duke lënë të kuptohej se portieri i Spanjës nuk kishte dhënë aq sa pritej.
“Duhet të luash ashtu si stërvitesh dhe kjo është një situatë normale. Normale ishte kur ula në stol Materacin te Inter apo siç bëri këtë vit Benitez me Terrin në Londër. Njerëzit mund të mendojnë se Iker është më i mirë se Diego. E pranoj një mendim të tillë por trajneri jam unë. Unë si trajner mundohem të bëj gjërat në bazë të meritokracisë. Fakti që shpërtheu një debat publik nuk më shqetëson. Preferoj më mirë të kem probleme me njerëzit, shtypin apo gjysmën e qytetit sesa të kem probleme me ndërgjegjen time. Unë do të kisha probleme të mëdha nëse do të aktivizoja një lojtar që nuk do ta meritonte”, tha ai, duke nënkuptuar qartësisht se Kasijas nuk e meritonte një vend në formacion. (LajmeShqip.com)
Thursday, 06 June 2013 10:05