Sulmuesi brazilian Neimar, ka bërë përsëri të qartë se nuk vjen te Barcelona për të luftuar me Mesin për hegjemoninë brenda skuadrës. Ai duket i ndërgjegjshëm se argjentinasi është i paprekshëm dhe duhet trajtuar si lideri i katalanasve.
“Mesi është një idhull për mua, ka qenë gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë. Sot kam mundësinë që të luaj përkrah tij. Kjo do të jetë një eksperiencë e shkëlqyer për mua”, ishte komenti i Neimar për “Barça TV”.
Futbollisti nuk ka pranuar as krahasimet me Ronaldinjon, një tjetër bashkëkombës të tij që ka luajtur me shumë sukses në radhët e katalanasve.
“Ronaldinjo ka shkruar historinë te Barcelona dhe në kombëtaren braziliane, duke vazhduar ta bëjë një gjë të tillë. Ndërsa historia ime sapo ka filluar dhe shpresoj të kem mundësi të lë gjurmë si ai në historinë e Barcelonës”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 06 June 2013 09:20