Trajneri i Spanjës, Vicente Del Boske, ka lënë të kuptohet se nuk është i kënaqur me sulmuesit që ka grumbulluar për Kupën e Konfederatave, pasi mendon se ata janë jashtë forme, ose të paktën larg periudhës së artë të tyre. Kohët e fundit, trajneri i Spanjës ka përdorur Fabregas si një “9 false” dhe mund të vazhdojë të përdorë të njëjti sistem edhe pse ka në ekip David Vija, Fernando Torres e Roberto Soldado.
“Do të luajmë me një sulmues, kjo është shumë e qartë, qoftë ky një “9 e fshehtë” apo një sulmues i mirëfilltë. Si rregull, çdo skuadër duhet të luajë me një numër 9, por ne nuk kemi gjetur një që na bind plotësisht”, shpjegoi trajneri i Spanjës.
“Ndoshta kjo është edhe faji ynë, disa u provuan, por Negredo, Torres, Soldado, apo edhe Vija, nuk është se na kanë kënaqur me paraqitjen e tyre. Ne na duhen lojtarë në këtë repart të cilët marrin pjesë në lojë, që janë të dukshëm dhe pjesë aktive e manovrës”, shpjegoi trajneri i Spanjës.
Më pas, Del Boske pranoi se një nga emrat më të rëndësishëm për skuadrën e tij në këtë turne do të ishte mesfushori i Bajern Mynih, Havi Martinez, i cili planifikohet të jetë titullar i paprekshëm.
“E kam thënë shpesh dhe nuk do të ndryshoj fjalët e mia. Mendoj se ai është në gjendje të na ofrojë më shumë, por duhet të jetë më shumë pjesëmarrës në manovër edhe te Bajerni. E tregoi këtë në finalen e Ligës së Kampioneve ku bëri diçka të shkëlqyer. Për ne është zgjedhje e parë në skuadër”, shpjegoi trajneri spanjoll. (LajmeShqip.com)
Thursday, 06 June 2013 08:45