Robert Levandovski praktikisht ka përshëndetur klubin e Borusia Dortmund, duke bërë të qartë se kërkon një sfidë të re, që me shumë mundësi do të jetë Bajern Mynih.
“Borusia është një klub fantastik që kam adhuruar gjithmonë, por për të ardhmen time dua një sfidë të re”, shpjegoi ai për “Sport Bild”.
Lojtari ka një kontratë deri në vitin 2014 me klubin aktual dhe nëse nuk largohet gjatë kësaj vere, Borusia Dortmund humb relativisht shumë, rreth 25 milion euro, pasi në vitin pasardhës ai do të iki si lojtar i lirë.
Për këtë arsye, Levandovski është i ndërgjegjshëm që marrëveshja mes dy palëve është zgjidhja më e mirë.
“Drejtuesit e dinë që dua të largohem, ua kam thënë këtë prej kohësh dhe kam një akord parimor. Jam i bindur që do të gjejmë një zgjidhje të përbashkët”, shpjegoi ai. “Largimi gjatë kësaj vere do të ishte zgjidhja më e mirë për të tërë”, deklaroi Levandovski, për të cilin janë interesuar edhe Real Madrid e Mançester Siti. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 05 June 2013 23:02