Adriano Galiani i ka dhënë fund të gjithë zërave të merkatos për një transferim të mundshëm të Rikardo Kaka drejt kuqezinjve. Duke parë se marrëveshja ishte pranë mbylljes por dështoi gjatë merkatos se janarit, mendohej se mesfushori do të pranonte që ta bënte atë realitet në verë. Por administratori i përgjithshëm i Milanit ka vendosur të mbyllë gjithçka para se zërat të bëheshin “bezdisës” për klubin.
“A do të blejmë Kaka? Ai nuk do të kthehet te Milani për dy arsye të thjeshta, pasi është 31 vjeç dhe përfiton 10 milion euro në sezon”, shpjegoi Galiani.
Strategjia e Milanit do të vazhdojë të jetë ajo e të rinjve premtues, duke maksimizuar potencialin e tyre. Kjo ka sjellë edhe ndryshimin në mënyrën sesi kuqezinjtë do të rreshtohen në fushë në sezonin e ardhshëm.
“Skema me dy sulmues që do të aplikojmë nuk është diktat i presidentit. Kemi vendosur t’i kthehemi skemës me dy sulmues të mirëfilltë kur siguruam Saponara. Në momentin kur morëm atë, ishte e qartë se do të ndryshonim nga 4-3-3 në 4-3-1-2”, shpjegoi Galiani, duke bërë të qartë se mesfushori i sapombërritur nga Empoli do të kishte një rol mjaft qendror në të ardhmen e ekipit kuqezi. . (LajmeShqip.com)
Wednesday, 05 June 2013 23:00