Mesfushori i Gallatasarajit, Uesli Shnadjer, ka pranuar se ai ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Zhoze Murinjon, që nga momenti kur portugezi u largua nga Interi drejt Real Madrid, duke shtuar zërat se ai do të bëhet blerja e parë e trajneri të ri të Çelsit.
Lojtari që iu bashkua klubit turk në janar, as nuk u mundua të hidhte poshtë spekulimet për një transferim në Angli.
“Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Zhoze Murinion. Kemi qëndruar në kontakt me njëri-tjetrin që pas ditëve tona te Inter. A ka nevojë Çelsi për një organizator? Nuk jam i sigurt. Në futboll nuk je kurrë i sigurt rreth asaj që do të ndodhë në të ardhmen, por unë jam shumë i lumtur në Turqi”.
28 vjeçari ka luajtur vetëm 12 ndeshje me skuadrën e Gallatasarajit, ku në fillim u bë temë diskutimesh nga tifozët e ekipit për shkak të gjendjes së tij jo të mirë fizike. Megjithatë, futbollisti është i lumtur për mënyrën se si ka luajtur dhe sidomos se si ka ndihmuar skuadrën në Ligën e Kampioneve, ku Gallatasaraj shkoi deri në çerekfinale.
“Arritja e çerekfinaleve në Ligën e Kampioneve ishte objektivi ynë dhe e arritëm me sukses. Ndeshja e parë ndaj Real Madrid ishte zhgënjyese, nëse do të kishim luajtur më mirë, do të kishim kaluar turin. Por në takimin e kthimit, lojtari i 12-të për ne, tifozët, ishin thjesht të pabesueshëm”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 05 June 2013 08:31