Iker Kasijas ka shpjeguar se nuk mban asnjë mëri ndaj Zhoze Murinjos dhe i ka uruar fat këtij të fundit në etapën e radhës së karrierën e tij.
“Murinjo ka ndërmarrë një rrugëtim të ri dhe unë i uroj më të mirat. Kur ishte te Real Madrid, ai mori vendimet e tija që duhen respektuar”, tha Kasijas, duke iu referuar raportit aspak të mirë që kishte me trajnerin, por duke mbajtur të njëjtën linjë veprimi si më parë, pasi ka preferuar të mos bëjë polemika.
“Fatkeqësisht nuk arritëm objektivat që i kishim vënë vetes, Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Mbretit, këtë fakt duhet ta pranojmë. Ndaj Murinjos i uroj fat dhe shpresoj që gjithçka t’i shkojë sa më mbarë. Ai ka dhënë shpirtin për Real Madrid dhe personalisht nuk kam asnjë lloj mërie ndaj tij”, shpjegoi Kasijas.
Portieri gjithsesi nuk i ka rezistuar tundimit të hedhë poshtë fjalët e trajnerit portugez i cili shpjegoi mosaktivizimin e tij në ndeshjen kundër Osasunas duke deklaruar se Kasijas nuk ishte në gjendje për të përballuar ndeshjen.
“Për të luajtur, jam gjithmonë i gatshëm, edhe nëse ka kaluar shumë kohë që nga momenti kur e kam bërë një gjë të tillë për herë të fundit. Ndaj falënderoj trajnerin Del Boske që më grumbulloi me Spanjën dhe do të bëj maksimumin të shlyej besimin e tij”, tha lojtari që ndonëse ka 5 muaj pa u aktivizuar, është pjesë e kombëtares spanjolle që do të marrë pjesë në Kupën e Konfederatave. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 04 June 2013 10:50