Trajneri i Atletiko Madrid, Diego Simeone, është i ndërgjegjshëm se ekipit të tij do t’i mungojë kontributi i rëndësishëm i sulmuesit Radamel Falkao, i cili u largua drejt Monakos gjatë merkatos së verës.
Sulmuesi shënoi 28 gola në 34 ndeshje në kampionat në sezonin e kaluar, duke ndihmuar klubin të fitonte vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, me Siemonen që është i sigurt që të gjesh një pasardhës të denjë është thuajse e pamundur.
“Arritjet e Falkaos janë të pamundura të kalohen”, tha Simeone për “Marca”. “Nuk di të them nëse do të humbasim shumë nga mungesa e tij, por statistikat janë të pakundërshtueshme dhe ato të Falkaos janë të jashtëzakonshme. Do të dëshiroja shumë që një sulmues tjetër të vinte dhe t’i afrohej sadopak atyre shifrave”.
Megjithatë, trajneri argjentinas tregon se ideja e tij është të përforcojë skuadrën në të gjitha repartet, jo vetëm në sulm.
“Në mbrojtje po kërkojmë një lojtar të madh, por na duhen të tillë edhe në mesfushë dhe në sulm, duhet të përforcohemi në çdo zonë të skuadrës”, tha Simeone. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 04 June 2013 07:51