Ndërsa e gjithë Barcelona po bëhet gati të presë krahëhapur sot Neimar, në ditën e tij të prezantimit, ethet e mbërritjes së talentit brazilian kanë përfshirë edhe shokët e tij të rinj të ekipit. Kjo konfirmohet nga deklarata e Andres Iniesta, i cili po pret me padurim ta shohë atë në fushën e lojës përkrah Lionel Mesit.
“Lojtarët e mëdhenj kuptohen gjithmonë me njëri-tjetrin. Leo do të përmirësojë Neimar dhe Neimar do të përmirësojë Leon. Kjo është një lojë skuadre dhe shuma e të gjithëve bashkë bën që klubi të fitojë”, tha mesfushori spanjoll.
“Neimar do të na sjellë shumë gjëra, ka një talent shumë më lart se mesatarja, spektakël, ka ende shumë rrugë për të bërë dhe po vjen në klubin ideal për t’u përmirësuar në çdo aspekt”, tha ai, duke bërë të qartë se as që shqetësohej për jetën private të Neimar apo stilin e tij mjaft të veçantë të flokëve e veshjeve.
“Çdokush bën çfarë të dojë me jetën e tij, duke qëndruar gjithmonë brenda limiteve të vendosura nga klubi”, ishte përgjigja e mesfushorit spanjoll. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 June 2013 14:18