Real Madrid dhe Juventus kanë nisur kontaktet intensive për të realizuar transferimin e Gonzalo Higuain nga radhët e skuadrës spanjolle drejt asaj italiane në merkaton e verës, me kërkesën e vetë futbollistit.
Argjentinasi bëri të qartë dy ditë më parë se dëshironte të largohej nga Reali, ku ka qëndruar për 7 vitet e fundit, pasi tashmë synon një aventurë të re. Ishte po Higuain që konfirmoi interesimin e Juventusit për të, duke bërë të qartë se tashmë negociatat ekzistojnë mes dy klubeve.
“Reali më ka blerë 12 milion euro dhe tani mund të fitojë shumë më tepër me shitjen time”, ishte mesazhi i Higuain, duke i bërë të qartë klubit që të gjente sa më parë gjuhën e përbashkët me Juventusin.
Oferta që bardhezinjtë u kanë bërë drejtuesve të Realit është prej 22 milion eurosh por madrilenët pretendojnë të çojën këtë shifër në 30 milion euro. Në fakt, kjo është shuma që madrilenët kanë refuzuar në vitet e kaluara nga skuadra si Çelsi e Mançester Siti, ndërsa shpresojnë që të bindin edhe Juventus të paguajë këtë shifër për sulmuesin argjentinas. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 June 2013 14:15