Silvio Berluskoni ka vendosur të mbajë Masimiliano Alegrin të paktën edhe për një sezon, duke konfirmuar trajnerin në stolin e ekipit të tij, por njëkohësisht duke e detyruar atë të pranojë “këshillat” e tij rreth taktikës apo lojtarëve që duhen aktivizuar.
Presidenti i kuqezinjve është takuar mbrëmë me Alegrin si dhe administratorin e përgjithshëm, Adriano Galiani, në darkën e shumëpërfolur që do të vendoste fatin e skuadrës, ndërsa në fund ishte vetëm ai që u prononcua për mediat italiane nëpërmjet një komunikate për shtyp.
“Jemi mbledhur dhe kemi gëzuar bashkë duke parë në televizor fitoren e ekipit të të rinjve që arritën në gjysmëfinalet e kampionatit. Me Galianin e Alegrin zhvilluam një bisedë të hapur e miqësore gjatë të cilës është rifreskuar kujtesa për sezonin që sapo u mbyll dhe u qartësuan disa gjëra. U arrit një akord mbi të drejtat e detyrimet e trajnerit ndaj klubit dhe anasjelltas. Njëkohësisht, u fol edhe rreth tipit të lojës që Milani duhet të praktikojë dhe rreth përbërjes së ekipit në sezonin e ardhshëm. U fol edhe për merkaton e verës. Raporti me trajnerin, i cili nuk është ndërprerë kurrë, vazhdon me besim dhe me vlerësim të ndërsjellë”, shkruhej në deklaratës e Berluskonit, të lëshuar nga klubi kuqezi pas kësaj darke që zgjati më shumë se dy orë.
Megjithatë, duhet theksuar se si nuk është folur për rinovim, por vetëm për vazhdim të kontratës ekzistuese, duke lënë të kuptohet që Berluskoni preferon të mbajë edhe një tjetër vit Alegrin, për t’i besuar më pas skuadrën një prej të preferuarve të tij, Sedorf apo Inzagi. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 June 2013 11:26