Zhoze Murinjo tashmë është në Londër dhe gjatë ditës së hënë do të firmosë kontratën e re katërvjeçare për të marrë drejtimin e Çelsit. Tekniku portugez ka mbërritur ditën e diel në aeroportin e Hithrou në kryeqytetin britanik, ndërsa mendohet se menjëherë është drejtuar për në takimin që do të caktoje kushtet e kontratës së re.
Tashmë është e sigurt se portugezi do të firmos sot me londinezët, edhe prej faktit që konfirmimi erdhi nga ish-punëdhënësi i tij, Florentino Perez, i cili tha për mediat britanike se Murinjo kishte një akord për t’u bërë trajneri i ardhshëm i Çelsit.
Ndërkohë, vetë portugezi la të nënkuptohej nëpërmjet një prononcimi për “Journal De Noticias”, se dështimi i tij te Reali, kishte ardhur nga mungesa e profesionalizmit të lojtarëve të madrilenëve, e sido mos nga mungesa e frymës së grupit.
“Unë personalisht besoj se suksesi varet nga objektivat e arritur nga një grup. Por tani po bëhet gjithnjë e më e vështirë që një grup të punojë i bashkuar. Vlerat kanë humbur, profesionalizmi dhe edukimi po përkeqësohen gjithnjë e më shumë”, ishin fjalët e trajnerit, një thumbim i qartë ndaj ish-lojtarëve të tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 June 2013 00:24