Brazili dhe Anglia janë ndarë në një barazim 2-2 në ndeshjen e parë të vërtetë në stadiumin “Marakana”, të tejmbushur për këtë sfidë klasike. Ka qenë një atmosferë krejtësisht ndryshe nga ajo e përjetuar në “Uembli” pak muaj më parë, pasi këtë radhë ka qenë Brazili që ka dominuar plotësisht, me Anglinë që është dashur vetëm të mbrohet.
Kanë qenë brazilianet që kanë krijuar raste të panumërta në pjesën e parë, duke bërë që portieri Xho Hart të kthehej në heroin e ekipit britanik me pritjet e tij ndaj sulmuesve brazilianë, me Neimar, Fred e Hulk që shfaqeshin pa vështirësi përballë tij, edhe për faj të pavëmendjes së mbrojtjes angleze. Ndaj dukej çudi që pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0.
Por pjesa e dytë solli golin e Fred në minutën e 57-të, që dukej se po i jepte fitoren vendasve. Megjithatë, brenda pak minutash rezultati u përmbyse nga rrjetat e Oksleid–Çambërlein dhe Uejn Runi të cilët shënuan njëri pas tjetrit, për të kaluar në avantazh në mënyrë të papritur Anglinë. Për të kthyer disi “normalitetin” për Brazilin, që në fakt nuk e meritonte disavantazhin, mendoi Paulinjo me golin e tij në minutën e 82-të, duke vulosur këtë barazim 2-2. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 June 2013 00:20