Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ka zbuluar se gjatë vizitës së tij të fundit në Londër ka filluar të marrë në konsideratë idenë për të blerë një klub anglez. Producenti i filmave, që mori drejtimin e Napolit në vitin 2004, ka pranuar se ideja për t’u kthyer në një pronar të shumë klubeve të ndryshme po e tërheq gjithnjë e më shumë.
“Dua të zgjeroj perandorinë time futbollistike. Dua të blej tre klube, përfshirë një në Angli. Kam folur edhe me ish-trajnerin e Napolit, Edi Reja, ndërsa ai më është përgjigjur se është gati për të ndërmarrë një aventurë të re”, shpjegoi De Laurentis për mediat italiane.
Në fakt, pronësia e shumë klubeve të ndryshme nuk është e ndaluar me rregullat e futbollit evropian. Familja Poco, e cila kontrollon Udinezen, ka në pronësi gjithashtu skuadrat e Uotford në Angli dhe Granada në Spanjë. Ekipi i Uotford, i cili drejtohet nga Xhanfranko Zola, gjatë sezonit të fundit ka huazuar 10 lojtarë nga klubi italian dhe spanjoll, ndërsa ishte në garë për t’u ngjitur në Premier Ligë, por u mund në playoff nga Kristal Palas. (LajmeShqip.com)
Sunday, 02 June 2013 12:18