Bajern Mynih ka arritur të shënojë sezonin perfekt të një skuadre gjermane, pasi pas kampionatit dhe Ligës së Kampioneve, siguroi edhe Kupën e Gjermanisë. Skuadra e drejtuar nga Jup Heinkes ka mundur me meritë me rezultatin 3-2 ekipin e Shtutgart në këtë finale.
Bavarezët dominuan dhe me meritë kaluan në avantazh në fundin e pjesës së parë pas penalltisë së Myler. Dy golat e Mario Gomez në pjesën e dytë ishin rrjedhojë e po kësaj epërsie të dukshme, me Shtutgartin që dukej i pafuqishëm për të reaguar. Por krenaria e kundërshtarëve të Bajernit në minutat e fundit solli dy gola të Harnik, që vuri në diskutim këtë fitore për bavarezët.
Megjithatë, fituesit e Ligës së Kampioneve treguan qetësi në minutat vendimtarë duke mbrojtur rezultatin për të ngritur trofeun e tyre të tretë të këtij sezoni ku kanë fituar gjithçka, duke thyer rekorde të panumërt. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 June 2013 23:50