Sulmuesi legjendar i Gjermanisë, Gerd Myler, beson se Miroslav Klose e meriton më shumë se të gjithë të thyejë rekordin e golave që ai ka vendosur me përfaqësuesen gjermane. Sulmuesi 34 vjeçar është vetëm një gol larg shifrës 68, rekord i vendosur nga ish-futbollisti i Bajernit që 39 vite më parë.
“Ishte vetëm çështje kohe që ai të afrohej dhe të tentonte të thyente rekordin tim. Por unë jam i lumtur për të”, deklaroi “Torpedo” Myler.
“Miro është një sulmues i madh dhe një njeri i shkëlqyer, të cilin e kam takuar disa herë kur luante për Bajern Mynih. Ai e meriton plotësisht këtë rekord”.
Klose do të ketë mundësinë të barazojë e pse jo, kalojë rekordin e Myler, në ndeshjen miqësore që Gjermania luan kundër SHBA. Sulmuesi i Lacios iu bashkua kombëtares së Joakim Lëv vetëm në ditët e fundit, pasi ndihmoi klubin e tij të fitonte Kupën e Italisë. Tre ditë më parë, Gjermania fitoi një miqësore me Ekuadorin me rezultatin 4-2 ku sulmuesi kryesor ishte Lukas Podolski, autor i golit të avantazhit që në sekondën e 9-të të sfidës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 June 2013 09:13