Zhoze Murinjo ka përjetuar të njëjtat probleme të Real Madrid edhe gjatë periudhës kur drejtonte Interin. Këtë fakt e ka konfirmuar mesfushori Tiago Mota, i cili ka qenë në drejtimin e portugezit në vitet e tij të lavdishme me zikaltërit.
Portugezi drejton sot ndeshjen e fundit si trajner i Real Madrid, ku ka pasur vazhdimisht probleme me lojtarët, një fakt që duket ka ekzistuar edhe në ekipet e mëparshme të tij, por që zakonisht nuk është bërë kaq publik sa në Spanjë.
“E di se ka tension në dhomat e zhveshjeve të Madridit”, tha 30 vjeçari për mediat spanjolle. “Por ndoshta kjo është një strategji e tij, pasi e njëjta gjë na ndodhi edhe ne te Interi”.
“Por atëherë ishte ndryshe, pasi nuk u fol kaq shumë në shtyp rreth këtyre situatave, gjërat nuk dilnin nga dhomat e zhveshjeve”, shpjegoi Mota i cili ka “sponsorizuar” Karlo Ançelotin, trajnerin e tij aktual te PSZH, si një prej drejtuesve më ideal që ka pasur në karrierën e tij.
“Ai është një trajner i madh. Ka bërë një punë të shkëlqyer dhe kemi një atmosferë fantastike në dhomat e zhveshjeve. Nga të gjithë trajnerët që kam pasur në karrierë, ai është krejtësisht ndryshe në raportet individuale. Ai është më i natyrshëm në sjelljet e tij”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 June 2013 09:11