Kush do të drejtojë Milanin në sezonin e ardhshëm, Masimiliano Alegri apo ndonjë nga emrat e shumtë që është përfolur si zëvendësues i tij? Enigma do të zgjidhet të dielën, datë të cilën vetë Silvio Berluskoni e ka caktuar si ajo në të cilën do të merret vendimi për teknikun e kuqezinjve.
“Mendoj se do të ketë një takim me trajnerin dhe Galianin, me shumë mundësi që brenda të dielës dhe nga kjo situatë do të lindë më pas një zgjidhje që nuk do të jetë e vështirë të arrihet, nëse të gjithë vëndosim dorën në zemër dhe zgjedhin rrugën më të mirë për Milanin”, deklaroi Berluskoni për mediat italiane.
Duket se darka e të enjtes me Alegrit dhe Galianit ka qenë vetëm një bisedë paraprake para takimit vendimtar me Berluskonin. Kjo mbledhje e shumëpritur trepalëshe tashmë do të zhvillohet dhe me shumë mundësi do të zgjidhë të gjitha enigmat rreth pankinës së kuqezinjve, që për momentin ka bllokuar çdo planifikim të klubit.
Berluskoni duket se mbetet i bindur të kthejë Sedorf, tani në rolin trajnerit, një alternativë që mund t’i hapë rrugë largimit të Alegrit dhe kalimit të tij te Roma, që po e pret krahëhapur dhe i ka bërë gati edhe kontratën e re dyvjeçare. (LajmeShqip.com)
Friday, 31 May 2013 14:36