Drejtori i përgjithshëm i Bajern Mynih, Karl Hainz Rumenige, mendon se tashmë Gjermania duhet t’i vërë vetes si synim fitoren e Botërorit 2014, ashtu siç pritet tashmë nga tifozët e kombëtares së këtij vendi.
“Nëse Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund arrijnë falë shumë futbollistëve të kombëtares në finalen e Ligës së Kampioneve, kjo është prova se një titull Kampion Bote tani është mëse i mundur. Ky brez duhet të ketë si objektiv fitoren e Kupës së Botës në sezonin e ardhshëm. Gjithçka tjetër nuk do të kishte kuptim. E gjithë Gjermania pret një trofe ndërkombëtar pas 18 vitesh mungesë”, u shpreh ai.
Rumenige ka treguar edhe se si ka përjetuar bashkë me Uli Hënes minutat e fundit të sfidës kundër Borusia Dortmund, aty ku u vendos edhe fati i finales së Ligës së Kampioneve.
“Në ndeshjen e të shtunës, kur po afroheshin minutat e fundit, iu drejtova Hënes, që po e përjetonte këtë sfidë si asnjëherë më parë për shkak të problemeve personale. Në minutën e 85-të, më tha: ‘Duhet të shkojmë në kohën shtesë, se pastaj fitojmë ne’. I thashë: ‘Rri i qetë, kemi humbur dy herë Ligën e Kampioneve në minutën e fundit. Ndoshta tani ka ardhur koha ta fitojmë ne në minutën e fundit’”, tregoi Rumenige që festoi si i çmendur golin e Roben në minutën e 89-të të sfidës. (LajmeShqip.com)
Friday, 31 May 2013 11:03