Fernando Torres mund të vihet përsëri nën urdhrat e Rafael Benitez në sezonin e ardhshëm, pasi Çelsi po mundohet të përfshijë lojtarin në marrëveshjen për të sjellë Edinson Kavanin në Angli nga Napoli.
Sipas mediave italiane, ka qenë vetë Hoze Murinjo që ka dekretuar këtë ndryshim në strategjinë e merkatos së klubit, që tashmë nuk ofron vetëm një shifër të ndjeshme për të siguruar sulmuesin uruguaian. Tashmë shuma e ofruar është ulur në 30 milion euro, ndërsa pjesa e mbetur e klauzolës së largimit të tij, që në total kap shifrën 65 milion euro, do të mbulohet nga transferimi drejt Italisë i Fernando Torres.
Murinjo u ka bërë të qartë drejtuesve të klubit londinez se sulmuesi nuk bën pjesë në planet e tij, edhe pse në sezonin e fundit ka bërë një përmirësim duke shënuar 22 gola dhe ndihmoi ekipin të fitonte Europa League.
Zgjidhja e parë për trajnerin portugez ishte Radamel Falkao, por ai po nënshkruan për Monakon, ndaj tani si alternativë cilësore ka mbetur vetëm Kavani, një lojtar të cilin ai e kërkoi edhe një vit me parë kur ishte te Real Madrid. Për uruguaianin kjo do të ishte një zgjedhje mjaft e mirë, ndërsa është mësuar se edhe Torres nuk është plotësisht kundër idesë së transferimit në Itali, i bindur nga projekti i radhës i Benitez që mendon se do të kthejë skuadrën në nivelet më të larta. (LajmeShqip.com)
Friday, 31 May 2013 10:12