Miqësorja mes Brazilit dhe Anglisë, e parashikuar të luhet me 2 qershor në stadiumin “Marakana”, do të zhvillohet si rregullisht, pasi u lanë pas krahëve problemet me sigurinë që kishin bllokuar fillimisht këtë impiant.
Ndeshja e të dielës do të jetë e para në stadiumin legjendar pas rikonstruksionit të tij, por gjithçka u vu në dyshim pasi gjykatësja braziliane Adriana Kosta dos Santos vendosi fillimisht të enjten që ndeshja të mos luhej për çështje sigurie të impiantit. Megjithatë, qeveria e krahinës së Rio De Zhaneiro, bëri të ditur se vendimi ndryshoi brenda ditës, pasi gjykatëses iu dërguan dokumentet që mungonin.
“Ndeshja mes Anglisë dhe Brazilit është konfirmuar me 2 qershor, ndërsa janë testuar të gjitha rrethanat e mundshme përsa i përket sigurisë së impiantit”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga qeveria lokale e Rio De Zhaneiros.
Problemi kryesor ishin mbeturinat e ndërtimit jashtë stadiumit “Marakana”, pasi gjykatësja mendonte se gurët dhe mjetet e forta, mund të përdoreshin si objekte në raste dhune në stadium nëse do të shfaqeshin probleme.
“Marakana” do të presë 3 ndeshje të Kupës së Konfederatave në qershor, ndërsa në vitin 2014, në këtë impiant do të luhen 7 ndeshje dhe finalja e Botërorit 2014. (LajmeShqip.com)
Friday, 31 May 2013 08:54