Mbrojtësi francez, Erik Abidal, i cili në vitet e fundit ka luftuar kundër kancerit në mëlçi për t’u kthyer përsëri në fushën e lojës, ka lajmëruar sot se nuk do të rinovojë kontratën e tij me Barcelonën, pas një vendimi të marrë nga klubi.
Futbollisti 33 vjeçar, i cili në vitin e kaluar transplantoi mëlçinë e tij, tha para mediave dhe thuajse të gjithë futbollistëve të ekipit të Barcelonës, se kontrata e tij nuk do të rinovohej, edhe pse ai kishte shpresuar deri në sekondën e fundit që një gjë e tillë do të ndodhtë.
“Unë do të kisha dëshiruar të qëndroja dhe të luaja te Barcelona por klubi e pa situatën në një mënyrë tjetër dhe më duhet të respektoj vendimin e tyre”, tha Abidal mes lotëve.
Abidal, i cili ka fituar 15 trofe me fanellën e katalanasve në 6 sezone, ka luajtur në vetëm 4 takime të kampionatit spanjoll në këtë edicion, por do të ketë mundësinë të luajë ndeshjen e tij të fundit kur ekipi të vihet përballë Malagas në fundjavë, në ndeshjen që mbyll sezonin në Spanjë.
Megjithatë, klubi duket se i ka bërë atij një ofertë që të kthehet si trajner në akademi kur t’i ketë dhënë fund karrierës si futbollist.
“Unë vetë shpresoj të kthehem, pasi ky klub është shumë i veçantë për mua. Kjo është një ditë shumë e vështirë për mua. Kam luajtur 6 vite për Barcelonën dhe ishte eksperienca më e madhe e jetës time. Por do të kthehem përsëri, pasi kjo skuadër është si një familje për mua”, ishte premtimi i francezit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 30 May 2013 19:16