Paraqitjet e shkëlqyera të kombëtares shqiptare në këtë edicion të eliminatoreve të Botërorit 2014 kanë kthyer trajnerin Xhani De Biazi në një emër të kërkuar në Itali, ku nuk drejton që prej sezonin 2009-2010. Sipas mediave italiane, për trajnerin e kuqezinjve tashmë interesohet Kievo, që ka nisur kontaktet me të për t’i ofruar pankinën e kësaj skuadre për sezonin e ardhshëm.
Gjatë ditës së sotme, nga drejtimi i skuadrës ka dhënë dorëheqjen Euxhenio Korini, trajneri që mbylli sezonin në stolin e ekipit veronez. Nuk ka vonuar dhe drejtuesit e klubit kanë bërë menjëherë një tentativë për të bindur De Biazin.
Sipas mediave italiane, ishte drejtori sportiv Xhovani Sartori që i ka telefonuar që sot teknikut të kuqezinjve, duke i ofruar mundësinë që të ulet në pankinën e kësaj skuadre, e cila tashmë është kthyer mes atyre që përfaqësohen me rregullsi në Serinë A.
Nuk është bërë e ditur ende se çfarë përgjigje është dhënë nga De Biazi, por me sa duket të dy palët do të kthehen të bisedojnë pas 7 qershorit, kur të jetë luajtur ndeshja e Shqipërisë kundër Norvegjisë dhe të jetë krijuar një ide më e qartë për të ardhmen e kuqezinjve në grupin e eliminatoreve të Botërorit.
Një ditë më parë, në konferencën për shtyp para grumbullimit të përfaqësueses shqiptare, De Biazi anashkaloi temën e ofertave që i kishin ardhur nga klubet dhe rinovimin e mundshëm me përfaqësuesen, duke deklaruar se preferon të përqendrohet te e tashmja. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 May 2013 22:37