Devid Mojes ka caktuar si objektiv të tij të parë të merkatos sigurimin e firmës së Çesk Fabregas, pasi mendon se mund të kthejë spanjollin në Angli, pasi është mësuar se Barcelona po mendon seriozisht ta nxjerrë në shtije.
Trajneri i ri i Mançester Junajtid mendon se mesfusha është reparti ku duhet ndërhyrë më fuqimisht dhe afrimi i Fabregas do të ishte një lëvizje e rëndësishme për kampionët e Anglisë. Megjithatë, mediat angleze bëjnë të ditur se për lojtarin po interesohen edhe rivalët e Mançester Sitit, të cilët janë gati të paguajnë çfarëdo shifre për një futbollist të tillë.
Sipas mediave angleze, Barcelona ka vendosur një çmim prej rreth 25 milion paund për futbollistin e kombëtares spanjolle, pasi tashmë është e qartë se ai nuk është përshtatur te katalanasit dhe qëndrimi i tij i mëtejshëm do të ishte thjesht një humbje ekonomike për klubin.
Vetë futbollisti dëshiron të kthehet në Angli, ndërsa mendohet se një nga klauzolat në kontratën e tij flet edhe për një kthim të mundshëm te Arsenali, skuadër që ia shiti katalanasve dy sezone më parë.
Përveç Fabregas, Mojes ka caktuar si objektiv të merkatos edhe një tjetër futbollist të katalanasve, Tiago Alkantara, si dhe kapitenin e PSV, Kevin Strotman. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 May 2013 19:01