Ylli brazilian Neimar, i cili do t’i bashkohet Barcelonës gjatë verës, ka pranuar se është shumë i emocionuar kur mendon se shumë shpejt do të jetë shok skuadre me Lionel Mesin. Futbollisti 21 vjeçar ka pranuar se mendonte që tashmë kishte ardhur koha që ai të tregonte vlerat e tij dhe të synonte të bëhej një yll i futbollit evropian.
“Sinqerisht që kam filluar të ndjej emocionet. Kjo është një ëndërr që bëhet realitet. Të luash përkrah Mesit dhe futbollistëve të tjerë të jashtëzakonshëm te Barcelona më ka bërë të paduruar për të shkuar atje”.
Lojtari brazilian kishte oferta të rëndësishme edhe nga klube të tjera, ku përfshihej Real Madrid dhe Çelsi, por ai zgjodhi që t’i bashkohej Mesit për t’u kthyer në idhull te skuadra katalanase.
“Ishte një vendim i vështirë për t’u marrë, por unë e vendosa në këtë mënyrë bashkë me familjen time. Ata më kanë ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Jam shumë i lumtur, por edhe pak i mërzitur se largohem nga Santos, ku kam qëndruar për shumë vite me radhë. Por më duhet të përfitoj nga ky rast që më është dhënë”, tha lojtari brazilian. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 May 2013 09:53