Radamel Falkao pritet që sot të zyrtarizojë marrëveshjen pesëvjeçare për kalimin te Monako, pasi ka kaluar dje vizitat mjekësore dhe është arritur akordi mes tij dhe klubit francez, me “bekimin” e Atletiko Madrid, që do të përfitojë 45 milion euro nga shtija e futbollistit.
Në fakt klauzola e largimit të kontratës së tij është 60 milion euro por klubi spanjoll ka pranuar që të ulë pretendimet, pasi vlerëson se Falkao ka siguruar të ardhura të mjaftueshme për klubin në këtë sezon duke e ndihmuar të kualifikohet në Ligën e Kampioneve dhe të fitojë Kupën e Mbretit.
Vetë futbollisti ka kaluar vizitat e detyrueshme mjekësore gjatë ditës së djeshme, ku ka qëndruar në Monako dhe më pas ka gjetur akordin me drejtuesit e klubit të principatës, duke u kthyer ndër lojtarët më të paguar të futbollit botëror, me 14 milion euro neto në sezon. Duke llogaritur që marrëveshja e tij është pesëvjeçare, Falkao pritet të përfitojë rreth 70 milion euro vetëm nga rroga e tij në klubin e ri, pa harruar bonuset, sponsorizimet dhe të ardhurat e tjera nga shitja e imazhit.
Por duket se klubi francez nuk do të ndalet këtu, pasi mediat sportive bëjnë të ditur se pas blerjes së Zhoao Mutinjo, Xhejms Rodriguez e Rikardo Karvajo, emra të tjerë që i interesojnë skuadrës së Monakos janë Viktor Valdes dhe Hulk, me të cilët do të vazhdojnë negociatat gjatë javës së vazhdim. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 May 2013 09:52