Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka zbuluar se Zinedin Zidan do të jetë drejtori i ri sportiv i klubit spanjoll. Numri 1 i madrilenëve duket se ka besim të plotë te ish-mesfushori, pasi i ka dhënë atij fuqi të plota vendimmarrje pas largimit të Zhoze Murinjos nga stoli i skuadrës. Detyra e parë e Zidan do të jetë të ndihmojë në afrimin e një trajneri të ri, ndërsa në të ardhmen mund të marrë vetë edhe këtë detyrë.
“Nuk e dimë se kush do të jetë trajneri”, tha Perez. “Por duam që projekti sportiv të drejtohet nga Zidan. Nuk besoja se Zidan dëshironte të bëhej trajner, por në vitet e fundit ai ndërroi mendje. Do të dëshiroja që një person i tillë të drejtonte ekipin në të ardhmen. Por tani, kur të zgjedhim trajnerin, do të jetë tekniku bashkë me Zidan që do të marrin të gjitha vendimet duke analizuar skuadrën për t’i dhënë hapin cilësor. Duam të kthehemi përsëri më të mirët në Spanjë dhe në botë”, ishte deklarata e Perez.
Ai deklaroi gjithashtu se dëshiron të blindojë sa më parë që të jetë e mundur Kristiano Ronaldon, duke i ofruar një rinovim të kontratës ekzistuese.
“Kristiano tha në verën e kaluar se është i mërzitur por unë i kam thënë se do të bëjmë maksimumin për ta bërë të lumtur përsëri, pasi për ne ai është lojtari më i mirë në botë. Mendoj se ai është më i miri në botë dhe Realin e të ardhmes do ta ndërtojmë përreth figurës së tij. Kjo është arsyeja pse dua ta bëj atë futbollistin më të paguar në botë”, deklaroi Perez, që do të rikandidojë në muajin e ardhshëm për postin e presidentit te Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 28 May 2013 19:33