Rafael Benitez i ka dhënë lamtumirën Çelsit pas turneut në SHBA, duke deklaruar se drejtimi i tij në pankinën e londinezëve ka qenë një sukses. Trajneri spanjoll, që kishte vështirësi gjatë të gjithë sezonit me tifozët e skuadrës, duket se i është drejtuar Napolit, skuadër me të cilën mendohet se ka arritur një akord dyvjeçar.
“Unë thjesht kam menduar si të bëj më mirë punën time dhe ia kam arritur qëllimit. Ju mund ta analizoni më mirë punën time por dy gjysmëfinale, një trofe dhe vendi i tretë në kampionat, mund të komentohen vetë. Rrethanat e punës tonë ishin shumë të veçanta, por jam i lumtur që ia dolëm mbanë për të gjithë ata që u përfshinë në këtë projekt”.
“Siç e kam thënë edhe më parë, në fund ishin shumë tifozë që na mbështetën. Ndoshta disa prej tyre nuk ndryshuan mendim, por ne bëmë punën tonë dhe shpresoj që të gjithë u kënaqën. Ne bëmë atë që duhej bërë dhe kjo është gjëja e rëndësishme. Nuk di të them se si do të pritemi në të ardhmen, por unë mund të them me plot gojë se bëra punën që më ishte caktuar”, deklaroi trajneri spanjoll. (LajmeShqip.com)
Monday, 27 May 2013 11:02