Neimar në sezonin e ardhshëm do të luajë në Spanjë! Ky është përfundimi i arritur pas disa orësh negociata në Brazil mes drejtuesve të Santos, lojtarit dhe babait që është njëkohësisht menaxher i tij dhe përfaqësuesve të Barcelonës e Real Madrid që kanë bërë oferta për sulmuesin. Si përfundim, Santos ka pranuar si ofertën e Barcelonës, ashtu edhe atë të Real Madrid, duke lënë në dorën e lojtarit të vendosë se ku do të transferohet gjatë verës.
“Tani do të vendos me familjen time, nuk ndjej asnjë lloj trysnie. Vendimin mund ta marr brenda 5 minutash, gjysmë ore apo 3 ditësh, nuk di ta them me saktësi. Por di të them se ky është momenti më i lumtur i jetës sime. Kjo është një arsye krenarie për mua, fakti që kërkohem nga dy gjigandë të futbollit spanjoll”, ishin fjalët e Neimar pasi u bë i ditur vendimi i Santos për të shitur 55% të kartonit të lojtarit që zotëron.
Oferta e Real Madrid është 35 milion euro, ndërsa ajo e Barcelonës është 28 milion euro plus dy miqësore në Brazil me skuadrën e Santos. Reali gjithashtu i ka ofruar lojtarit një rrogë më të lartë, 11 milion euro në sezon, përballë 7 milion eurove që i ofron Barcelona. Por në klubin katalanas, lojtari mund të mbajë të gjitha të ardhurat nga e drejta e imazhit, ndërsa te madrilenët ai do t’i kalonte klubit gjysmën e tyre.
Zëvendëspresidenti i Santos, Odilio Rodrigues, ka treguar se futbollisti mund të ketë prirje të pranojë ofertën e Barcelonës me të cilën ka një “marrëveshje xhentëlmenësh” prej shumë kohësh.
“Në këtë mbledhje mësuam se Neimar dhe Barcelona kanë prej shumë kohësh një akord verbal, një marrëveshje xhentëlmenësh, që në rast se ai largohej nga Santos në vitin 2014, do të shkonte te Barcelona. Por nuk ka asnjë kontratë të firmosur. Ai bëri të qartë se nuk ka marrë asnjë parapagim dhe Barcelona përgënjeshtroi zërat se është bërë një pagesë e tillë. Këto kanë qenë vetëm shpikje të shtypit” shpjegoi Rodriguez pas mbledhjes që mbaroi në orët e para të mëngjesit të së shtunës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 08:55