Zinedin Zidan është i bindur se Garet Beil është më shumë se i mirë për të luajtur me Real Madrid dhe ka bërë të qartë se uellsiani do të pritet krahëhapur te skuadra spanjolle nëse pranon të transferohet që në këtë verë. Francezi do të marrë rolin e drejtorit sportiv pas pak ditësh te Reali dhe 23 vjeçari Beil është objektivi i parë që do të ndjekë në merkaton verore, pasi është mahnitur nga aftësitë e tij.
“Lojtarët e mirë dhe të mëdhenj si ai mund të shkojnë kurdoherë te Real Madrid. Ai është më shumë se i mirë. Unë kam ndjekur rregullisht Totenhemin vetëm për faktin se Garet Beil luan me këtë skuadër”.
“Duhet ta pranoj se me përjashtim të Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesit, ai është futbollisti që më ka bërë më shumë përshtypje. Ai më ka çuditur sidomos për faktin se ka një qëndrueshmëri të admirueshme. Ai nuk ishte i shkëlqyer në një apo dy ndeshje, ai u shfaq në një nivel të lartë gjatë të gjithë kohës duke shënuar gjithmonë gola të rëndësishëm”, tregoi Zidan.
Beil vlerësohet rreth 60 milion paund nga Totenhem, por skuadra angleze insiston që ta mbajë për të paktën edhe një sezon tjetër futbollistin, duke i ofruar atij një rrogë prej 200 mijë paund në javë për ta bindur të qëndrojë, edhe pse nuk do të luajë përsëri në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 08:53