Kongresi i UEFA-s ka pranuar Gjibraltarin si anëtarin e 54-t të kësaj organizate me të drejta të plota me të gjitha vendet e tjera. Kolonia e vogël britanike në territorin spanjoll, që numëron një popullsi prej rreth 30 mijë banorësh, do të ketë mundësinë që të marrë pjesë që në eliminatoret e Euro 2016.
Që nga viti 2014, skuadrat e këtij vendi do të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet e UEFA-s, ndërsa për momentin po mendohet riorganizimi i futbollit atje, pasi aktualisht regjistrohen 6 skuadra dhe rreth 600 futbollistë të federuar në Federatën e Futbollit të këtij vendi.
Meqenëse marrëdhëniet mes Spanjës dhe kolonisë së vogël angleze vazhdojnë të jenë ende të acaruara, me spanjollët që shpesh kanë kundërshtuar pavarësinë e Gjibraltarit, UEFA ka premtuar që në short, ekipet e dy vendeve nuk do të vihen përballë njëri-tjetrit, siç ndodh aktualisht me Armeninë e Azerbajxhanin.
Gjibraltari u mundua të aderonte në UEFA dhe FIFA që në vitin 2007, por kërkesa e tyre u hodh poshtë dhe kandidatura mori vetëm 3 vota, pasi Spanja loboi kundër tyre. Por këtë radhë, me mbështetjen e fuqishme të Anglisë, vendimi i Kongresit të UEFA-s ishte thuajse unanim, aq sa edhe presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Vijar Lona, u pa në këmbë duke duartrokitur këtë vendim historik. (LajmeShqip.com)
Friday, 24 May 2013 21:56