Babai i Neimar, që është njëkohësisht edhe menaxheri i futbollistit brazilian, ka reaguar shumë ashpër ndaj asaj që po ndodh aktualisht me futbollistin. Sipas tij, Santos duhet t’i japë fund sa më parë kësaj historie që po shpërqendron lojtarin.
“Bordi drejtues i Santos duhet të vendosë për shitjen e tij, po apo jo, por këto spekulime duhet të përfundojnë. Ne nuk e dimë se çfarë po ndodh. Flitet për takime mes Santos dhe skuadrave të tjera por pse nuk është vendosur ende asgjë? Unë nuk do ta lejoj klubin të nisë një ankand për Neimar, nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, ishte kërcënimi i tij para gazetarëve.
Santos refuzoi ofertën e fundit prej 23 milion eurosh që i bëri Barcelona për të siguruar 55% të kartonit të lojtarit që aktualisht është në pronësi të klubit brazilian. Por duket se vetë futbollisti dëshiron të shkojë te katalanasit, pasi edhe kërcënimi i radhës i babait të tij linte të kuptohej qartësisht një gjë e tillë.
“Nuk dua që Neimar të shqetësohet gjatë Kupës së Konfederatave. Ndaj që nga sot e tutje nuk do t’ia hap më telefonin askujt, nuk hyj në negociata me askënd. Santos ka thënë që lojtari nuk do të shitet ndaj jeta do të vazhdojë si zakonisht. Ai duhet të presë një tjetër vit për t’u transferuar dhe që pas 6 muajsh mund të negociojë vetë me cilëndo skuadër dëshiron duke nënshkruar edhe parakontrata. Santos mund të mendohet sa të dojë rreth situatës, por askush nuk ka folur me ne. Ndaj nuk kemi arsye pse të negociojmë më. Rregulloret nuk e lejojnë ndaj ne nuk do ta bëjmë një gjë të tillë”, ishte kërcënimi i tij ndaj Santos, duke bërë të qartë se lojtari ishte i gatshëm të qëndronte edhe një vit duke u larguar pastaj me parametër zero, për t’i sjellë një humbje të madhe arkave të klubit brazilian. (LajmeShqip.com)
Friday, 24 May 2013 21:54