Rafael Benitez do të jetë trajneri i ardhshëm i Napolit, ndonëse për të zyrtarizuar marrëveshjen dyvjeçare duhen pritur edhe pak ditë, derisa tekniku spanjoll të mbyllë kontratën ekzistuese me Çelsin.
“I kam bërë dhuratë vetes për datëlindje” ishte komenti që presidenti i napolitanëve, Aurelio De Laurentis, bëri për këtë çështje, por duke sqaruar se ende nuk ka diçka zyrtare për shkak të detyrimeve të UEFA-s mbi respektimin e kontratave ekzistuese.
“Emri ekziston por unë nuk e kam than ende se kush është. Në Londër kam takuar disa persona por nuk u kam thënë asnjë emër në veçanti, pasi nuk ma lejojnë rregulloret e UEFA-s”, tha ai duke aluduar se nuk do të ketë një firmë me Benitez për sa kohë që ky i fundit paguhet ende nga Çelsi.
Megjithatë, mediat italiane bëjnë të ditur se spanjolli ka rënë dakord për një kontratë dyvjeçare nga e cila do të përfitojë 3.5 milion euro në sezon, pa harruar edhe bonuset.
Përfshirja e një bonusi në rast fitoreje të kampionatit do të thotë se projekti i De Laurentis është ambicioz dhe ai po mendon për të përforcuar skuadrën dhe jo për ta dobësuar atë, siç mendohej në përgjithësi. Nga Napoli do të largohet Kavani, por me paratë e shitjes së tij do të bëhet e mundur mbërritja e lojtarëve të tjerë, duke filluar nga Edin Xheko. Për më tepër, Benitez duket se ka detajuar edhe grumbullimin veror të skuadrës si dhe miqësoret që duhen planifikuar. (LajmeShqip.com)
Friday, 24 May 2013 21:51