Shefi ekzekutiv i Mançester Sitit, Ferran Soriano, ka zbuluar se dëshiron që trajneri i ardhshëm i skuadrës, Manuel Pelegrini, të fitojë 5 trofe në 5 sezone. Drejtuesi i nënkampionëve të Anglisë, ka shpjeguar se vendimi për të shkarkuar Mançinin erdhi sepse loja e skuadrës filloi të bënte hapa prapa dhe jo para. Sipas tij, trajneri italian do të ishte shkarkuar edhe nëse do të fitonte Kupën FA.
“Ne kemi një skuadër fantastike. Do të ishte shumë e vështirë për ne të ndërronim lojtarët aktualë me të tjerë në Angli, përfshirë ata të Mançester Junajtid. Skuadra që kemi është në gjendje të fitojë kampionatin dhe nuk është një ekip që nuk kalon fazën në grupe të Ligës së Kampioneve”.
“Gjëra të tilla mund të ndodhin, pasi futbolli është kështu. Por ne kemi lojtarë më të mirë se kaq. Jam i bindur se sezonin e ardhshëm, gjërat do të bëhen më mirë. Nuk di të them nëse do të fitojmë një apo dy tituj, por në planin e përgjithshëm të së ardhmes, unë synoj që të fitojmë 5 trofe në 5 vite”, deklaroi drejtuesi i Mançester Sitit.
“Nëse vitin tjetër nuk fitojmë, por futbolli ynë shënon progres dhe ne arrijmë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, të dytët në kampionat dhe në Kupën FA, për ne do të jetë përsëri mirë”, deklaroi Soriano duke treguar se cili është objektivi që duhet të ndjekë Pelegrini. (LajmeShqip.com)
Friday, 24 May 2013 10:42