Largimi i Zhoze Murinjos nga Real Madrid do të shoqërohet më shumë mundësi nga largimi i një prej lojtarëve të sjellë nga trajneri portugez, Fabio Koentrao, i cili në asnjë moment nuk ka bindur tifozerinë spanjolle. Por futbollisti ka shpërthyer në gazetën “O’Jogo” duke bërë të qartë se është gati të largohet dhe duke fajësuar klimën aspak miqësore ndaj tij për këtë vendim.
“Nëse nuk janë të lumtur me mua, nuk ka problem, mund të gjej një zgjidhje”, tha lojtari i cili u ble 30 milion euro nga Benfika por që tashmë nuk vlen as gjysmën e kësaj shume pasi ka zhgënjyer plotësisht me fanellën e madrilenëve.
“Sot duket sikur të gjithë duan që të largohem nga klubi. Nuk e kuptoj se çfarë kam bërë të keqe që të meritoj këtë urrejtje ndaj meje. Duhet të gjejmë një zgjidhje të mirë si për klubin, ashtu edhe për mua, në mënyrë që asnjëra palë të mos dalë e humbur nga kjo çështje”, tha Koentrao.
I pyetur nëse e ardhmja e tij do të vazhdonte të ishte e lidhur me atë të Zhoze Murinjos, mbrojtësi nuk i ka mbyllur rrugët e transferimit te Çelsi.
“Nëse largohem nga Real Madrid, nuk i mbylli derën asnjë klubi”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Friday, 24 May 2013 10:40