Zhoze Murinjo kërkon të marrë Kristiano Ronaldon te Çelsi, duke e bërë atë blerjen e tij të parë pas kthimit në radhët e londienzëve në muajin qershor. Trajneri portugez mendohet se ka bindur Roman Abramoviç të bëjë gati një çek për futbollistin e Real Madrid, i cili deri tani nuk ka rinovuar kontratën e tij me spanjollët.
Dëshira e lojtarit do të jetë ajo që do të bëjë diferencën në fund, pasi në rast se nuk rinovon, Reali e di mirë se në sezonin e ardhshëm vlera e tij do të ulet ndjeshëm. Ndaj nëse Ronaldo do të kërkojë transferimin, madrilenët do të kërkojnë të rifitojnë shumën e 80 milion paund që paguan për të në vitin 2009. Me këto para ata do të hidhen menjëherë në sulm për Garet Beil, i cili shihet nga të gjithë si zëvendësuesi ideal i portugezit.
Përkrah pistës së Ronaldos, Çelsi po ndjek me vëmendje edhe situatën e sulmuesit të Napolit, Edinson Kavani, si dhe të Uejn Runit të Mançester Junajtid. Të dy lojtarët kanë kërkuar të transferohen dhe Murinjo ka dhënë miratimin e tij për të bërë një ofertë për lojtarët. Meqenëse Abramoviç ka vënë rreth 100 milion paund në dispozicion të merkatos ë klubit, Murinjo do të ketë mundësi të bëjë investime të rëndësishme, ndaj ideja që një prej këtyre lojtarëve të përfundojë në Londër nën urdhrat e tij, nuk duket e pamundur.
Ndërkohë, mediat angleze insistojnë se portugezi ka kërkuar një përforcim edhe në mbrojtje e në mesfushë, ku synon të marrë dy lojtarë të tjerë nga Real Madrid. Qendërmbrojtësi është Rafael Varane, ndërsa në mesfushë mendohet se do të kërkojë të afrojë një mes Ksabi Alonso e Sami Khedira. Për t’i bërë vend këtyre lojtarëve, ai është gati të sakrifikojë David Luiz, i cili i intereson Realit dhe mund ta përdorë si shkëmbim për futbollistët që do të marrë me vete nga madrilenët. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 May 2013 19:17