Klubi i Milanit është detyruar të publikojë një përgënjeshtrim për të hedhur poshtë zërat se presidenti Silvio Berluskoni kishte shkarkuar trajnerin Masimiliano Alegri gjatë ditës së hënë.
Në mediat italiane qarkulloi një prononcim i ish-kryeministrit italian, i cili fliste për spastrim të plotë të stafit teknik të skuadrës, duke lënë të kuptohej se edhe Alegri ishte i përfshirë nga reforma. Por klubi ka hedhur poshtë gjithçka, duke përgënjeshtruar ekzistencën e kësaj deklarate.
“Do të ketë një ndryshim total në stafin teknik. Nëse është e nevojshme do të riorganizojmë edhe strukturën e klubit. Pas fillimit zhgënjyes të sezonit, mu desh të ndërhyja dhe të kërkoja që situata të ndryshonte sa më parë. Isha unë që insistova që skuadra të zbriste në fushën e lojës me një rreshtim të ndryshëm taktik, pasi kam shumë eksperiencë në këtë fushë”, ishte komenti i Berluskonit, i publikuar gjatë emisionit “Il Processo di Biscardi”, ku pretendohej se këtë deklaratë ua kishte nisur vetë presidenti i kuqezinjve.
Por gjatë natës së djeshme, Milani ka vepruar menjëherë me një përgënjeshtrim zyrtar, duke shtuar më shumë kaosin rreth kësaj çështje.
“Presidenti i nderit, Silvio Berluskoni, na ka komunikuar se nuk ka lëshuar gjatë ditës së sotme asnjë deklaratë apo nuk ka shkruar asnjë letër që ka si objekt klubin e Milanit”, shkruhet në përgënjeshtrimin e kuqezinjve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 21 May 2013 09:33