Legjenda e futbollit brazilian, Roberto Karlos, është shumë pranë pankinës së Sivasporit, për të nisur zyrtarisht karrierën e tij si trajner në klubin turk. Ky fakt është konfirmuar vetë nga klubi, i cili bëri të qartë se është ende në fazën e negociatave me ish-mbrojtësin brazilian.
40 vjeçari është aktualisht drejtues në radhët e Anzhi Makhashkala në Rusi, por sipas mediave të ndryshme, ai do të japë dorëheqjen nga ky post për të filluar karrierën e re. Meçnun Odiakmaz, presidenti i Sivasporit, konfirmoi se bisedimet mes palëve janë në një fazë të avancuar, edhe pse nuk është arritur ende një marrëveshje përfundimtare.
“Jemi të përfshirë në diskutime mjaft serioze me Roberto Karlos. Intervista që kemi bërë me të është pozitive dhe transferimi i tij në drejtimin e skuadrës tonë do të bëhet më i qartë në dy ditët e ardhshme”.
Edhe menaxheri i ish-futbollistit, Ozkan Dogan, foli pozitivisht rreth arritjes së një marrëveshje.
“Roberto Karlos dhe Sivaspor kanë arritur një akord parimor. Ai mund të firmosë që të martën apo të mërkurën”, ishin fjalët e tij. Klubi i Sivaspor e mbylli kampionatin në vendin e 12-të në edicionin që sapo përfundoi. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 21 May 2013 09:32