Ciklit të Zhoze Murinjo te Real Madrid i ka ardhur fundi edhe zyrtarisht, me konfirmimin që ka ardhur nga vetë Florentino Perez, presidenti i madrilenëve. Ndonëse largimi i portugezit pritej prej shumë kohësh, zyrtarizimi është bërë vetëm pas konferencës për shtyp të improvizuar nga Florentino Perez, e transmetuar drejtpërdrejt edhe nga televizionet kryesore në Spanjë dhe shumë nga faqet e internetit sportive.
“Klubi dhe trajneri kanë rënë dakord që kjo është koha e duhur për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë. Në emër të drejtuesve dua të falënderoj Murinjon për punën e madhe që ka bërë në këtë periudhë me ne. Ai do të largohet pas mbylljes së sezonit”, ishin fjalët me të cilat Perez hapi konferencën për shtyp.
“Mua do të më kishte pëlqyer të vazhdonte Murinjo, por trysnia është rritur në ato nivele sa tashmë është e padurueshme. Te Real Madrid jemi mësuar të përballojmë një presion të tillë, por me Murinjon është ngjitur në nivele të papërballueshme. Asnjë nga palët nuk ka hequr dorë nga asgjë, nuk do të ketë asnjë dëmshpërblim ekonomik, pasi largimi është bërë me marrëveshje”, shpjegoi ai.
“Në kulturën tonë, vendi i dytë në kampionat, Kupë dhe eliminimi nga Liga e Kampioneve në gjysmëfinale nuk është i mjaftueshëm. Por mos të harrojmë se në drejtimin e Murinjos kemi bërë një hap cilësor para. Kishim gjashtë vite radhazi që eliminoheshim në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe nuk ishim më kokë grupi. Ndërsa tani jemi mes të parëve, një bilanc mëse pozitiv. Vitin e kaluar kemi bërë futboll spektakolar. Kemi thyer çdo rekord. Edhe Murinjo është gabuar me raste, kjo është e pakundërshtueshme, por presioni para të cilit është vënë nuk ishte normal”.
“Ai më tha se në Angli, ndeshjet e futbollit zgjatin 90 minuta, ndërsa në Spanjë shtrihen edhe në 7 ditët e javës në vazhdim, 24 orë në ditë”, ishte komenti i Perez i cili në fund foli edhe rreth zërave për Karlo Ançelotin, i cili mendohet se do të jetë zëvendësuesi i portugezit në pankinën e madrilenëve.
“Dua të shpreh respektin maksimal për PSZH, ashtu si ndaj çdo klubi tjetër. Një ditë më parë kemi pasur një bisedë me ta dhe na është thënë se Ançeloti nuk do të largohet nga klubi, vendim të cilin ne e respektojmë. Nuk është një temë që do të zgjidhet nesër e aq më pak sot, këtu”, deklaroi presidenti i Realit. (LajmeShqip.com)
Monday, 20 May 2013 22:04