Valter Mazarri ka bërë të qartë se do të largohet nga Napoli dhe se takimi i mbrëmshëm ndaj Romës ishte i fundit në drejtimin e skuadrës, pas “mbylljes së një cikli”.
“Pas katër vitesh, ka përfunduar cikli im këtu te Napoli. Falënderoj tifozët, klubin dhe qytetin, tani erdhi koha të vlerësoj propozime të tjera nëse do të vijnë”, ishin fjalët e trajnerit menjëherë pas ndeshjes që Napoli i tij humbi me rezultatin 2-1.
“Vendosa të pres fundin kampionatit që të shpall largimin tim, pasi kam respekt ndaj Napolit dhe desha ta ngjit sa më lart atë. E kisha vendosur që pas ndeshjes kundër Bolonjës, por mendova se ishte më mirë që të mos thosha asgjë, për të mos i krijuar probleme ekipit dhe rendimentit të tij”.
“Kam kaluar katër vite të shkëlqyera, kemi bërë një kampionat të jashtëzakonshëm me këta djem që kanë dhënë shpirtin për mua. Falënderoj drejtuesit që kërkuan deri në minutën e fundit të më bindnin të ndryshoja mendim, por tashmë gjithçka është vendosur. Ku do të shkoj tani? Nuk kam marrë oferta, por nëse nuk do të vinë, mund të rri edhe pushim”, deklaroi trajneri i cili mendohet se kërkohet nga Interi, Milani e Roma. (LajmeShqip.com)
Monday, 20 May 2013 10:10