Karlo Ançeloti ka kërkuar zyrtarisht largimin nga Paris Sent Zhërmen për të shkuar te Real Madrid, pas një mbledhje të zhvilluar gjatë ditës së sotme me presidentin e klubit parisien, Naser Al Khelaifi, si dhe drejtorin sportiv, Leonardo. Largimin i tij drejt Real Madrid është mëse i mundshëm, pasi është konfirmuar edhe nga kanali sportiv “BeIN Sport”, i cili është në pronësinë e Al Khelaifi.
“Në vazhdim të një mbledhje me Naser Al Khelaifi dhe Leonardo, Karlo Ançeloti nuk do të jetë më trajneri i Paris Sent Zhërmen në sezonin e ardhshëm”, ishte njoftimi që u dha në këtë televizion.
Lajmi u konfirmua pjesërisht nga vetë Leonardo, i cili bëri të qartë se vendimi i trajnerit italian nuk ishte përfundimtar dhe nuk ishte zyrtarizuar ende.
“Karlo ka kërkuar të largohet drejt Madridit, por ne duam që ai të qëndrojë. Nuk është marrë asnjë vendim, ne thjesht kemi dëgjuar kërkesën e Karlos. Tani të shohim se çfarë do të ndodhë, por prioriteti ynë është që ai të qëndrojë. Nuk kemi kontaktuar asnjëherë me trajnerë të tjerë”, deklaroi Leonardo.
Nga fjalët e drejtorit sportiv kuptohet se tashmë nuk ka më asnjë dyshim mbi faktin se Ançeloti kërkohet nga Real Madrid, skuadër nga e cila do të largohet Zhoze Murinjo, me destinacion Çelsin. (LajmeShqip.com)
Sunday, 19 May 2013 18:38