Aleks Ferguson ka mbetur i çuditur nga fakti se si drejtuesit e Mançester Sitit vendosën të shkarkonin Roberto Mançinin, edhe pse ky i fundit ishte ai që ktheu suksesin në këtë klub. Trajneri i Mançester Junajtid, ndonëse nuk ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me italianin, këtë radhë vendosi t’i dilte në mbrojtje.
“Është thuajse e pabesueshme. Ai ka fituar Kupën FA, shkoi deri në finale, ishte i dyti në kampionat, fitoi titullin, ndërsa tani nuk është i mirë sa duhet? Unë isha i çuditur kur e mora vesh, por në fakt nuk duhet të jesh i tillë me disa pronarë të ditëve të sotme. Nuk duhet të jesh i çuditur me vendime të tilla, por unë vazhdoj të mendoj se nuk ishte e drejtë”.
Sipas Ferguson, rivaliteti me Mançester Sitin nuk duhet të shqetësojë David Mojes, pasi është i sigurt se seria e sukseseve ndaj rivalëve të të njëjtit qytet do të vazhdojë edhe me ish-trajnerin e Evertonit, i cili do të marrë drejtimin e “djajve të kuq”.
“Çfarë ndodh te Mançester Siti nuk do të ketë asnjë pasojë mbi David. Ai këtu ka strukturën e duhur dhe ka eksperiencën e duhur. Te Evertoni, më shumë mundësi, atij i është dashur të përballet me situata shumë më të vështira. Ndaj nuk mendoj se gjërat te Siti do të kenë rëndësi”.
“David ka në dispozicion një skuadër të mirë dhe lojtarë cilësorë, por ai do të dëshirojë ta përmirësojë. Ai do të ketë idetë e tij dhe kjo është diçka e mirë. Ai do t’ia dalë mbanë”, ishte deklarata e Ferguson rreth pasardhësit të tij. (LajmeShqip.com)
Sunday, 19 May 2013 11:12